Kurti dhe Lajçak diskutojnë vetëm për dialogun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka thënë përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë.
”Duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, ka thënë Kurti gjatë takimit me Lajçakun me 15 shtator në Prishtinë.
Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit Kurti, thuhet se në takim është diskutuar edhe për mbarëvajtjen dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Lajçak pas përfundimit të takimit iu tha mediave se nuk do të ofrojë detaje të bisedimeve pasi një përmbledhje të qëndrimeve të tij do ta bëjë në përfundim të vizitësh tre ditëshe në Kosovë.
Ai tha se është biseduar për dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, por jo për çështjen e hapjes së arkivave nga ana e Kosovës dhe Serbisë, temë kjo që ka nxitur reagime të shumta që nga përfundimi i bisedimeve të fundit në nivel të kryenegociatorve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 8 shtator. Kurti të hënën më 13 shtator, tha se autoritetet e vendit janë të hapura dhe transparente dhe fati i të pagjeturve duhet të zbardhet.