Kurti dhe Osmani në një linjë për raportin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar. Në konferencën e tij të parë për shtyp si kryeministër, pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Kurti tha se marrëdhëniet me Serbinë do të avancojnë, por me reciprocitet të plotë.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë. Edhe për shkaqe historike dhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë se jemi këtu ku jemi, ku si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 përqind”.

Të njëjtin qëndrim ka shpalosur më herët edhe Vjosa Osmani, kryetarja e re e kuvendit të Kosovës. “Ne besojmë që tarifa duhet të zëvendësohet me masë të reciprocitetit në raport me Serbinë”. Ndërkaq, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se pret nga qeveria e Kurtit të dalë me ide të reja, në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do të trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashikojmë se cila do të jetë zgjidhja vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë”.

SHKARKO APP