Kurti dhe Vuçiç sot në Bruksel, pritje të pakta për progres në dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot për herë të dytë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel. Nuk ka pritshmëri të larta për progres në këtë ballafaqim të radhës, edhe pse ndërmjetësuesit nga Bashkimi Europian flasin me optimizëm.

Palët nuk duket se do të pajtohen për temat dhe agjendën që duhet negociuar në muajt e ardhshëm. Kërkesa kryesore e Kosovës është njohja reciprokre, por Serbia nuk duket afër pranimit të këtij realiteti. Këtë e konfirmon dhe deklarata e Vuçiç përpara takimit të nivelit të lartë.

“Kurrë nuk është e këndshme të udhëtosh ose të qëndrosh në Bruksel kur je duke biseduar me përfaqësues shqiptarë”, shkruan ai një postim në rrjetin social instagram.

Ai shtoi se dialogu është i rëndësishëm për serbët e Kosovës, si dhe ndihmon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. “Dorëzimi nuk është një opsion”, përfundon presidenti serb.

Në orën 14:00 do të zhvillohen takimet bilaterale mes përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe delegacioneve. Më pas në orën 17:30 do të jetë takimi I nivelit të lartë, ku do të përballen Kurti dhe Vuçiç.

SHKARKO APP