Kurti do të takohet për herë të parë me Vuçiç, mediat zbulojnë datën dhe vendin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sërish Brukselin javën e ardhshme. Ky takim joformal, është thirrur nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe konsiderohet i dobishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes shteteve. Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, por nuk pritet t’i paraprijë rifillimit të dialogut.
Ndërkohë, opozitarët në Kosovë po i shohin vizitat e shpeshta në Bruksel të Kurtit, si heqje dorë nga të gjitha kauzat politike të tij sa ishte në opozitë. Takimin e 18 majit në Bruksel për “KosovaPress” e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.
Ai thotë se ky takim nuk do t’i paraprijë rifillimit të dialogut, por vetëm do t’i shërbejë komunikimit dhe diskutimit të të gjithë liderëve të rajonit me BE-në, për interesat e përbashkëta. Sipas tij kjo është mundësi e mirë mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.