Kurti e Mustafa sot projektojnë pamjen e qeverisë së re

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pritet të takohen sot për t’i dhënë fund negociatave rreth arritjes së koalicionit qeverisës.

Në takimin e sotëm dy liderët do ta projektojnë planin e qeverisë së ardhshme, për të cilën partnerët e mundshëm të koalicionit janë optimistë se marrëveshja mund të arrihet së shpejti, madje që prej fillimit të javës së ardhshme.

Pas takimit të së enjtes që patën kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafën, dje grupet punuese të të dyja subjekteve politike e zhvilluan një takim tjetër, i cili i ka finalizuar çështjet programore për të cilat nuk ka pasur dakordim të plotë mes tyre. Madje përfaqësuesit e grupeve punuese të LVV-së kanë deklaruar se marrëveshja është gati të arrihet dhe se kjo pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

Ndonëse edhe nga LDK-ja e kanë konfirmuar dakordimin mes tyre, ata janë shprehur më të rezervuar sa i përket datës së mundshme të koalicionit. Përfaqësuesit e LDK-së kanë theksuar se marrëveshja do të arrihet pasi të ndahen përgjegjësitë qeverisëse, gjë e cila pritet të ndodhë sot në takimin mes Kurtit e Mustafës. Nga këto dy subjekte kanë vlerësuar se të gjitha çështjet që kanë mundur t’i ndajnë si ajo e postit të presidentit, tashmë janë tejkaluar, duke pohuar kështu se nuk ka gjë që e parandalon koalicionin LVV – LDK.

SHKARKO APP