Kurti: I kam votat për ta formuar qeverinë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se Qeverinë e re të Kosovës planifikon ta formojë duke marrë rreth vetes deputetë të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu një koalicion të mundshëm me partitë shqiptare dhe me Listën Serbe.
Në konferencën e tij të përbashkët me kandidatin për deputet në Tiranë Bojken Abazi, Kurti është shprehur se beson që ta kalojë shifrën prej 61 deputetëve, sa janë të nevojshme për ta formuar qeverinë.
“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e donë të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti.
Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.