Kurti i merr krejt në zgjedhje, dyfishon rezultatin, fiton 55 mandate
Shqiptarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit më 14 shkurt. Brenda pak orësh u numëruan votat, ku Vetëvendosja dyfishoi rezultatin e saj, partitë e tjera pranuan humbjen, dhe kreu i LDK-së Isa Mustafa dha dorëheqjen.
Edhe këtë të diel të 14 shkurtit shqiptarët e Kosovës realizuan një proces shembullor votimi dhe numërimi.
Brenda pak orësh nga mbyllja e vendvotimeve, kundërshtarët politikë dolën për të pranuar humbjen në zgjedhje dhe fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëvendosja mori 48 përqind të votave, duke dyfishuar veten nga zgjedhjet e tetorit të 2019-ës. Në daljen e tij në Prishtinë, mesnatën e së dielës, Kurti tha se prioritet i qeverisë së tij do të jenë drejtësia dhe punësimi.
Analistët në Kosovë përllogarisin se në Kuvendin me 120 deputetë të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje merr 55 deputetë, PDK-ja 21 deputetë, LDK-ja 15 deputetë dhe AAK-ja do të përfaqësohet me 9 deputetë.
Ndërsa 20 deputetë të tjerë janë të përcaktuar për minoritetet, nga të cilët 10 janë veç për Listën Serbe.
Për shkak të rezultatit të dobët, pas dorëheqjes të së hënës të Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës brenda 60 ditëve do të rizgjedhë kryetarin dhe kryesinë e partisë.
Këto zgjedhje është vënë re edhe një rritje e numrit të votave nga diaspora, dyfishi nga zgjedhjet e kaluara.
43,447 zarfe nga diaspora, ku disa mund të kenë edhe dy vota në një zarf, do të marrin edhe mbi një javë tjetër për të përcaktuar se cilin subjekt ka favorizuar më shumë mërgata.