Kurti: Isha i gatshëm ta nënshkruaja propozimin europian, por pala serbe e refuzoi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel me Presidentin serb Aleksander Vuçiç është shprehur se ishte i gatshëm të firmoste propozimin evropian ditën e djeshme, por sipas tij, pala serbe ka refuzuar.

Sot patëm takim pozitiv konstruktiv në Bruksel, ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. “Kam thënë se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, platformë solide për të ecur para. Do të ketë diskutime për planin e zbatimit, për çfarë edhe do të ketë diplomaci fluturuese siç i thonë, do të ketë takim të radhës të nivelit të lartë kah mesi i marsit, sërish me ndërmjetësimin e Z. Borrell e z. Lajçak. Falënderoj të dy për punën që kanë bërë deri tash, besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Kurti.

Propozimi në preambulë ka 5 fjali e janë 10 nene. Është mirë sa më shumë qytetarët ta lexojnë vetë, por edhe profesionistët e dokumenteve të ndryshme, të marrëdhënieve ndërkombëtare e të aspekteve juridike, që të bëhet edhe ndonjë diskutim demokratik publik për këtë gjë. Plani i zbatimit do të jetë plan se si të përkthehen në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi i arritur sipas propozimit evropian. Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë. Në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje e katër kryeministra të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim, ishte pala serbe që se bëri ndonëse u pajtua”, ka thënë Kurti për gazetarët.

SHKARKO APP