Kurti kundër qeverisë “Rama”: Erdhi koha e “pranverës”! Edhe humorin po e monopolizojnë

Në ditën e nisjes së grevës së pedagogëve shqiptarë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka takuar një grup studentësh të fakultetit të Shkencave Sociale, nga ku ka deklaruar se ka ardhur kohë për një “pranverë shqiptare”, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Kurti është shprehur se protesta e studentëve shqiptarë është e drejtë, pasi vihet përballë monopolizimit të ekonomisë shqiptare në duart e një pakice, e cila sipas tij edhe humorin e ka bërë pronë të vetën.

“Protesta e studentëve është protestë kundër privilegjeve që ekzistojnë për biznesmenët. Studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive në arsim. Politika te ne është arti  i keq, në Shqipëri është monopolizuar gjithçka, dhe humori. Studentët nuk janë e ardhmja, rinia është e tashmja jonë”,- tha Kurti.

Sipas Kurtit qëndresa që po bëjnë studentët dhe nga sot po ashtu dhe pedagogët, do të çojë në një fitore. itoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse cdo herë dhe cdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë.

Edhe në Kosovë i kemi ndjekur protestat tuaja, por në prag të pranverës nuk ka si të mos vijë. Në protestat studentore në Shqipëri kemi vërejtur se studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive në sistemin arsimor. Monopolet në ekonomi dhe autoritarizmi në politikë janë njëlloj. Kundërshtimin e studentëve e shoh edhe kundër kësaj skeme politike. Në trojet shqiptare kemi skema politike të ndërthurura që mirëmbajnë njëri- tjetrin dhe protesta e studentëve është kundër privilegjeve që ekzistojnë jo vetëm në arsim, por edhe për nevojën që shoqëria shqiptare të kalojë në një transformim të ri, që është edhe me idenë kombëtare edhe atë Europiane.

Pak fjalë Kurti i tha dhe për debatin e nxehtë të ndarjes së territoreve. Kreu i VV-së akuzoi sërish Presidentin Thaçi se po shet Kosovën tek Serbia. “Serbia është e interesuar që ta ndajë Kosovën që të vijojë duke ndarë Bosnjën, ajo synon që të realizojë Serbinë e Madhe përmes ndarjes së fqinjëve. Kosova nuk ka as 5% serbë, ndërsa Serbia ka 20% pakica, por për Serbinë nuk flitet, por vetëm që të ndahet Kosova”,- tha Kurti.

E gjitha filloi në mesin e 2018 kur Thaci paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Korrigjimi nëse është korrigjim i një gabimi duhet të na kënaqë jo të na dhembë, atëherë cfarë korrigjimi është ky? Ka pasur bisedime sekrete me Vucic për të ndarë Kosovën, duke e maskuar si shkëmbim territorial, apo integrimin në BE apo OKB, si karrem për të futur edhe Serbinë në lojë.

 

Kosova ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë, por jo duke u tkurrur.  Kjo është e papranueshme, e padrejtë dhe anti kombëtare. Ka ardhur koha për një pranverë shqiptare edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pasi edhe kemi mbetur në fund të vendeve europiane edhe po shtohet rreziqet nga fqinjët grabitqarë, prandaj duhet të kemi një rikthim te populli, pasi institucionet nuk janë në nivelin që na kërkon realiteti./Express

SHKARKO APP