Kurti: Kushtetuesja nuk duhet të pranojë që Presidenti të shkruajë Kushtetutën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Kushtetuesja duhet ti përmbahet misionit të saj për të interpretuar dhe jo për ta shkruar atë. Kosova është nën ethet e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese që mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
”Dua të besoj që Gjykata Kushtetuese do ti përmbahet misionit të saj për të interpretuar Kushtetutën dhe jo për ta shkruar atë. Tani kemi tendencën e Presidentit të Kosovës ta bëjë amandamentin e Kushtetutës dhe këtë gjë nuk duhet ta pranojë kurrsesi Gjykata Kushtetuese. Nuk është në pyetje thjesht kjo qeveri, është në pyetje çdo qeveri e ardhshme, është në pyetje rendi republikan dhe demokratik, logjika kushtetuese. Presidenti i Republikës nuk mund të shkruajë Kushtetutën, e respekton dhe e zbaton atë sikurse Kryeministri, sikurse edhe Gjykata Kushtetuese. Ndonëse Gjykata Kushtetuese mund ta interpretojë Kushtetutën, sërish as ajo nuk mund ta shkruajë atë”,-tha për ”Rtv Ora”.
Për më tepër, Kurti thotë se kjo gjykata të vetmin presion e ka nga Presidenti Hashim Thaçi. Sipas tij, kreu i shtetit po i bën kryeministrit të Kosovës më shumë opozitë se vetë opozita.
”Për mua protestat nuk janë kurrë presion, janë dëshmi e vitalitetit demokratik të një shoqërie. Po ka presion në Gjykatën Kushtetuese sepse Presidenti çdo ditën shan kryeministrin, sulmon dhe shpif për kryeministrin. Gjyqtarët e Kushtetueses e kanë dhënë betimin para Presidentit. Presidenti në bazë të Kushtetutës duhet të përfaësojë vullnetin dhe unitetin e popullit, nuk duhet kurrësesi të dalë jashtë asaj që është e përbashkët te qytetarët dhe interesit të përgjithshëm. Praktikisht Presidenti është duke më bërë mua më shumë opozitë se vetë opozita. Gjykata Kushtetuese natyrisht që ndodhet nën trysninë e tij. Ne kemi qeveri të re të Republikës së Kosovës por shteti i Kosovës vazhdon të mbetet me elementë të kapjes së shtetit dhe Presidenti natyrisht që ka leva të cilat nuk janë forma dhe publike”.