Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë: Serbia provokon konflikt serioz

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar mbrëmjen e sotme mbledhjen e Këshillit të Sigurisë lidhur me situatën e tensionuar në veri të vendit, që shoqëroi djegien e qendrës së regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe sulmin me bombë në të njëjtin institucion në Zveçan.

Kjo situatë është krijuar pas vendimit të Kosovës për implementimin e reciprocitetit për targat serbe.

Gjatë një daljeje për mediat Kryeministri Kurti është pyetur nëse do të kërkojë leje nga KFOR-i për të dërguar FSK-në në veriun e Kosovës.

“Nuk është gjithçka që e shihni në video e këtyre ditëve, pra jo të gjitha janë lajme të vërteta aq më pak të sakta prandaj të mos biem pre e propagandës së Serbisë. Në anën tjetër, veprimet që ne i ndërmarrin do të jenë në përputhje me vlerësimin e situatës së sigurisë që e bën policia jonë dhe vetëm kur ata të bëjnë vlerësimin e aspektit të sigurisë ne do të mund të themi se çfarë do të bëjmë dhe së fundmi mos harroni se në ditën e gjashtë të zbatimit të reciprocitetit me targa të përkohshme, e unë do të doja që të hiqeshin targat e përkohshme deri më tani 9 mijë automjete i kanë marrë këto targa dhe s’kanë pasur problem me reciprocitetin”, tha Kurti.

Më tej ai u shpreh se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar i cili rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi donë ta militarizojë dhe ta eskaloj situatën, po sjell deri afër kufirit të Republikës së Kosovës edhe fluturakët e saj si helikopterë dhe avionë të prodhimit rusë. Nëpërmjet këtyre sulmeve dhe provokimeve ku përdoren qytetarë të Kosovës Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar – konflikt ky i cili rrezikon të marrë përmasa rajonale”. Ftesës së Brukselit për bisedime siç dihet ne jemi përgjigjur pozitivisht, kemi treguar gatishmërinë dhe interesimin tonë për dialog. Presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe në vend të dialogut ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri Kosovës. Prandaj, provokimet e tilla, pengesat dhe bllokadat përfshirë dhe veprimet kriminale të sotme me elemente terroriste janë të tilla sepse krimi, tensioni, frika, kontrabanda dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta për këto dy dekada”, tha Kurti.

SHKARKO APP