Kurti: Më 28 dhjetor na duhet fitore vendimtare
“Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet.” Kështu u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për AFP-në, ndërsa Kosova mban të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dytat brenda këtij viti. “Normalizimi i raporteve me një regjim autoritar që nuk të njeh dhe nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft i vështirë”- shtoi ai, ndërsa vuri ne dukje se mes dy vendeve ka një pakt të tillë, duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar me ndëmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2023.
“Duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, të paktën njohje de facto.”- u shpreh Kurti duke theksuar se për të rifilluar dialogun, Serbia duhet të dorëzojë fillimisht Milan Radoiçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe që ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë në vitin 2023.
“Shpresojmë se BE-ja, Franca dhe Gjermania do të ushtrojnë presion mbi Beogradin që ta ekstradojë në Kosovë.”- theksoi kryeministri në detyrë për AFP-në, ndërsa nënvizoi marrëdhëniet e ngushta mes Beogradit dhe Moskës. “Ka shumë lidhje mes dy shteteve – tha Kurti,- dhe nëse Rusia vendos të destabilizojë rajonin në marshin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të mbështetet tek Serbia si aleate. Kjo është shqetësuese për shtetin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”- shtoi ai.
Kosova, e cila synon të anëtarësohet në NATO, muajt e fundit ka intensifikuar marrëdhënie me Uashingtonin, duke hequr tarifat për produktet amerikane dhe ka nisur zbatimin e marrëveshjes për pranimin e 50 emigrantëve nga vendet e treta të deportuar nga Shtetet e Bashkuara. Lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti tha se Lëvizjes Vetëvendosje i duhet një fitore vendimtare.
“Në zgjedhjet e shkurtit fituam 42.3 përqind dhe këtë herë duam të tejkalojmë 50 përqind”- u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovë për AFP-në. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u shpallën pas 9 muajsh krize politike, pasi Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në procesin e 9 shkurtit, nuk arriti të merrte votat e nevojshme për krijimin e qeverisë e re.
KOHA JONË SONDAZH

