Kurti mund të kandidojë, përplasje në mbledhjen e KQZ-së
Mbledhja e Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë u zhvillua mes tensioneve tepër të larta. Zyra për Regjistrim dhe Certifikimin e Partive Politike rekomandoi autorizimin e të gjithë kandidatëve për deputetë, përfshirë Albin Kurtin, pavarësisht se autoritetet evidentuan se ai bashkë me 45 kandidatë të tjerë kishin probleme me ligjin.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se një rekomandim i tillë nuk sqaron nëse emrat e zgjedhur nga subjektet politike i plotësojnë të gjitha kriteret. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, kërkuan miratimin e rekomandimit për certifikimin e kandidatëve, përfshirë dhe liderin e tyre Albin Kurti.
Por anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkoi që të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë pikë. Kjo solli dhe përplasje të ashpra verbale duke detyruar kryetaren Daka të ndërpriste mbledhjen e KQZ-së.