Kurti: Mustafa u bë me PDK-në për të fshehur dosjet e krimit
“Këta ishin dy trupa, një karrige, pa asnjë tru”, është shprehur ai, derisa ka shtuar se qeverinë këto dy parti e kanë ndarë si me thikë. Ai tha se kjo qeverisje vetëm sa do të legjitimoj krimin e organizuar dhe SHIK-un si organizatë. Kurti tha se koalicioni u bë vetëm sa për t’i zhdukur dosjet e Isa Mustafës në prokurori. “Mbrëmë ka pasur pazar me dosje, nuk e nguci PDK-ën edhe militantët e SHIK-ut, krimin e organizuar e korrupsionin e tyre e ato 70 lëndë të futen në frigorifer në mënyrë që të mos fillojë veprimi lidhur me to që mund të qoj të përgjegjësia e Mustafës”, ka thënë Kurti. Sipas tij, ambiciet e liderëve të partive tjera e dështuan punën disamujore të Bllokut.
“Për pesë muaj kemi dëshmuar që PDK-ja është pakica që e ka kapur shtetin. Ditëve të fundit ambiciet e pakontrolluar e dështuan punën pesë muajsh”, ka thënë Kurti. Ky i fundit ka bërë thirrje partive tjera politike për të bërë gjithçka në Kuvend dhe me rrugë për të larguar këtë qeveri nga pushteti. “Marrëveshja e mbrëmshme i ka inkurajuar strukturat e krimit. Ju bëjmë thirrje forcave që e donë të mirën e këtij vendi të bashkohemi e ta largojmë këtë regjim në Kuvend e jashtë Kuvendit”. Edhe Visar Ymeri ka paralajmëruar Isa Mustafën se do të ketë punë me Vetëvendosjen. “Do ta luftojmë Isa Mustafën si Kryeministër”, ka thënë Ymeri. Sipas tij, marrëveshja e mbrëmshme PDK-LDK e ka ri legjitimuar krimin në Kosovë.