Kurti në Slloveni: Kosova synon sa më shpejt antarësimin në BE dhe NATO
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka thënë se zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndodhin krahë për krahë me njëra-tjetrën. Në panelin me liderët tjerë të rajonit ballkanik, Kurti përmendi pritjen e rreth 2000 afganëve në Kosovë. Po kështu ai theksoi se partneriteti me SHBA-të për Kosovën është shumë i rëndësishëm dhe i fortë.
“Ne besojmë që BE duhet mbrojtur dhe përkrahur, për këtë qëllim duhet të kryejmë reformat në vendet tona, por të njëjtën kohë edhe të ecim me zgjerimin e BE-së. Zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat tona shkojnë krahë për krahë, besoj, sidoqoftë se duhet të ketë një sërë reformash edhe në sistemin vendimmarrës të BE-së. Hapat më të guximshëm do të bëjnë më të mundur ketë. Kemi pritur rreth 2000 afganë në Kosovë, jemi vend i varfër, por besojmë se kur bëhet fjalë për çështje humanitare nuk themi pse, por vetëm si, plus partneriteti me SHBA, për ne është shumë i rëndësishëm dhe shumë i fortë”, tha Kurti.
Për nevojën e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE, Kurti përmendi edhe dy fakte që mund të përfitojnë dy palët. Ndër të tjera ai nënvizoi se Kosova është shtet pro perëndimor dhe aspiron të anëtarësohet sa më shpejt në BE dhe NATO.