Kurti pas takimit me Varhelyi: Procesi i vaksinimit të intensifikohet para fillimit të verës

Pas ceremonisë së rifillimit të procesit të vaksinimit me Pfizer, donacion ky i Bashkimit Evropian, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë zhvilluar edhe një takim bilateral me Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Në takim ishin të pranishëm edhe shefi i Zyrës së BE në Kosovë dhe Përfaqësues special i BE-së, ambasadori i BE-së Tomas Szunyog dhe Lazlo Andrejko, anëtar i kabinetit të Komisionerit.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, Kurti tha se duhet të shtohet dhe se është shumë e rëndësishme që procesi i vaksinimit të intensifikohet para fillimit të verës, atëherë kur edhe mërgata jonë kthehet në Kosovë.

“Ministri Vitia e informoi komisionerin për gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe theksoi nevojën e mëtejme për investime për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë. Komisioneri Várhelyi premtoi angazhimin e Bashkimit Evropian për sigurimin e vaksinave për Kosovën qoftë duke ndihmuar në krijimin e lidhjeve me shtetet anëtare të BE-së ose duke ndihmuar në krijimin e kontakteve direkte me kompanitë e vaksinave“, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP