Kurti për Asociacionin: Vuçiç do një shtet serb brenda Kosovës, unë mund të diskutoj gjithçka brenda Kushtetutës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja që u nënshkrua në vitin 2013 dhe 2015, nuk përputhen me Kushtetutën e Kosovës. Ai ka përmendur disa nga të drejtat që gëzon komuniteti serb në Kosovë. “Marrëveshja që e nënshkruan paraardhësit e mi 10 dhe 8 vjet më parë nuk përputhet më Kushtetutën e Kosovës sepse shkelin frymën dhe shkronjat e kushtetueshmërisë sonë. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë, 10 nga 38 komunat kanë kryetarë serbë, kemi 10 ulëse të rezervuara në Kuvend por serbët po i bojkotojnë pasi Beogradi po i urdhëron. Ne kemi qenë shumë gjenerozë me serbët në Kosovë, unë jam edhe kryeministri i tyre, dua t’i mbroj të drejtat e tyre”, tha ai.
Ai në një intervistë për median austriake, TV Thek, tha se nuk ka shansa për Republikë Serbe në Kosovë. “Ata duhet të jetojnë në Kosovë, por nuk ka shanse për Republikë Serbe sikur në BeH, dhe ky është pikërisht qëllimi i Beogradit zyrtar”.
Kurti ka thënë se ka ofruar të shkruajë një draft statur për asociacionin. “Unë kam ofruar që të shkruajë një draft- statut për vetmenaxhimin e komunitetit serb, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, që duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e BE’së që ky asociacion nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, asnjë shtresë të tretë të pushtetit, dhe qëndrimin e SHBA’së”, tha ai.
“Presidenti i Serbisë tha se nuk ka interes për të, por dëshiron që mos ta njohë kurrë Kosovën por të marrë një “shtet brenda shtetit”, që të krijojë jofunksionalitet. Këto lloj kërkesash nuk mund t’i pranoj por gjithçka që është brenda Kushtetutës, jam i gatshëm të diskutoj. Unë kam thënë në takime se nuk mund të ofroj kafe pa një filxhan. Nëse insistojnë në kafe pa filxhan, mund t’u tregoj vetëm filxhanin të zbrazur”, u shpreh ai.
“Asociacioni duhet të ketë kornizë ligjore demokratike dhe kjo është pavarësia e Kosovës, e njohur nga 117 shtete nga e gjithë bota”, tha ai.