Kurti për dialogun me Serbinë: Nuk do të ketë një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti
Kyeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi për shfuqizimin e taksës doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nuk do të merret me procedurë të shpejtë, ngase, sipas tij, fillimisht do të vendoset reciprociteti i plotë ndaj Serbisë.
“Nuk është se ne duam të hakmerremi me reciprocitet, por konsiderojmë që ky është një parim i shëndoshë për marrëdhënie konstruktive, bilaterale e të fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka folur edhe për procesin e ardhshëm të dialogut me Serbinë, duke potencuar se do të jetë Qeveria e Kosovës që do të udhëheqë me delegacionin e Kosovës, ku ai nuk e përjashton një rol edhe të opozitës dhe presidentit të Kosovës.
Zoti Kurti, keni paralajmëruar heqjen e taksës doganore ndaj Serbisë dhe për këtë qëllim, të premten ambasadori Richard Grenell, ju ka mbështetur përmes një postimi në rrjetet sociale. Kur do ta merrni ju këtë vendim?
Albin Kurti: Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që i fituam më 6 tetor të vitit të kaluar, gjatë negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kemi përsëritur dhe theksuar qëndrimin tonë, se tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë ne do ta zëvendësojmë me parimin e reciprocitetit. Pra, nuk është se do ta heqim tarifën dhe nuk do ta vëmë reciprocitetin, por do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën. Unë kam mbajtur vetëm një mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës – ajo ka qenë mbledhja e parë ceremoniale solemne.
Javën e ardhshme do ta kemi mbledhjen e radhës dhe bashkërisht, si kabinet, do t’i përcaktojmë të gjitha shtigjet e veprimeve tona, të cilat aktualisht më duhet të them se janë të përqendruara te Projektligji për buxhetin 2020, te plani i punës së qeverisë, te programi qeverisës dhe te fuzionimi i ministrive që i redukton ato nga 21 në 15 sosh. Unë nuk jam në gjendje sot t’ju them se cilën ditë do të bëhet ky zëvendësim i tarifës me reciprocitetin.
Si, konkretisht, do të duket, ose si do të zbatohet kjo çështje e reciprocitetit?
Albin Kurti: Reciprociteti, të cilin ne e duam është reciprocitet, i cili shprehet në aspektin ekonomik e tregtar dhe politik, ashtu siç është shkruar në Rezolutën e 7 dhjetorit të vitit 2011 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për neve është e papranueshme që të mos kemi simetri në raportet tona edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, pastaj të automjeteve, të certifikatave të ndryshme, e deri te fakti që shoferët e mauneve me mallrat e Kosovës, për shkak se nuk u njihet leja e vozitjes së Republikës sonë, dënohen me qindra euro nëpër rrugët e Serbisë. Pra, nuk është se ne duam të hakmerremi me reciprocitet, por konsiderojmë që ky është një parim i shëndoshë për marrëdhënie konstruktive, bilaterale e të fqinjësisë së mirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova nuk mund të vë masë reciprociteti, sepse Serbia nuk e konsideron Kosovën si shtet. A shihni ju pengesë në këtë qëndrim?
Albin Kurti: Kosova e konsideron veten e saj shtet. Ne e kemi shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Për pak ditë do të shënojmë 12-vjetorin e pavarësisë sonë dhe Kosovën e konsiderojnë të pavarur rreth 110 shtete anembanë globit, përfshirë këtu shumicën dërmuese edhe të vendeve të Bashkimit Evropian, edhe NATO-s, përkatësisht vetëm 5 shtete nga Bashkimi Evropian dhe vetëm katër shtete të NATO-s nuk e njohin Kosovën.
Kur prisni që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe a do të jeni ju në krye të delegacionit të Kosovës?
Albin Kurti: Unë do ta udhëheq ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga pranvera e vitit të shkuar, na e konfirmoi një gjë të tillë, por unë do të përpiqem që ky ekip të jetë me përbërje të duhur e me përgatitje të mirë,pra edhe në aspektin politik përfaqësues, edhe në atë profesional të ekspertëve. Unë nuk mund ta di kur do të mund të rifillojë dialogu, ndonëse më duhet të them që në njëfarë mënyre ai ka vazhduar tërë kohën nëpër konferenca e tryeza të ndryshme ndërkombëtare. Ne, në parim, jemi për dialog me parime dhe besoj që nuk e kemi luksin që të dështojmë sërish në dialog, prandaj besoj që edhe ekipi i Serbisë edhe yni duhet t’i bëjnë përgatitjet e duhura përmes diskutimeve me Brukselin sa i përket formatit, agjendës, kornizës etj.
E përmendët ekipin… A do të jetë bashkë me ju edhe presidenti Hashim Thaçi për të përfaqësuar Kosovën në tavolinën e bisedimeve?
Albin Kurti: Nuk besoj që mund të kemi një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti, sepse nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë. Por, unë nuk dua ta përjashtoj presidentin e Kosovës. Unë besoj që ai është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme, mirëpo politikën e jashtme e krijon Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra, pa përjashtuar mirëpo jo edhe duke udhëhequr siç ka qenë rasti në të kaluarën.
Si e shihni qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, përmes zhvillimit ekonomik në Kosovë e Serbi, mund të lehtësohet arritja e marrëveshjes përfundimtare?
Albin Kurti: Besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që të dyja janë të pazëvendësueshme për Kosovën nëpër të gjitha proceset, në të cilat ne kalojmë – përfshirë këtu edhe atë të bisedimeve me Serbinë – jam optimist që rolet e tyre mund të jenë edhe përplotësuese edhe atëherë kur nuk janë të njëjta. Në këtë kuptim,padyshim që ne e mirëpresim angazhimin amerikan në raportet tona me Serbinë.
Si e komentoni angazhimin e ambasadorit Richard Grenell dhe suksesin e tij për arritjen e pajtimit të Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore dhe atë hekurudhore në kohën kur dialogu i Brukselit ka stagnuar?
Albin Kurti: Kemi shprehje të interesit në disa fusha për marrëveshje siç është ajo e fluturimeve dhe e hekurudhës. Tash, unë, në parim, do të udhëhiqem prej Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj, në njërën anë, dhe prej parimit të reciprocitetit dhe vullnetit të mirë, në anën tjetër. Besoj se angazhimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Berlin, i ka dhënë energji të re procesit.
Kur jemi te këto dy iniciativa, janë parë si historike dhe si mënyrë e mirë për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ju, si i vlerësoni këto marrëveshje?
Albin Kurti: Ambasadori amerikan në Berlin, beson që për investime ekonomike në rajon, marrëveshja është çelësi. Unë nuk e mohoj që një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonte perspektivës së zhvillimit ekonomik të rajonit, por si kryeministër i Republikës së Kosovës, si fitues i zgjedhjeve, që ka garuar me një program të fuqishëm ekonomik, besoj që këtu nuk duhet neglizhuar tre faktorë të rëndësishëm.
I pari është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë që krijon besueshmëri për investitorët.
I dyti është luftimi i varfërisë së popullsisë, në mënyrë që të ngrihet kërkesa agregate për mallrat dhe gjithashtu mendoj se e treta është jo më pak e rëndësishme – qasja sa më e lehtë në financa, pra në një lloj të kapitalit fillestar për ndërmarrësinë ekonomike.
A prisni arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë brenda këtij viti?
Albin Kurti: Unë kam gatishmëri për dialog. Nuk dua të paragjykoj shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes. Për mua qëndrueshmëria e bisedimeve është shumë e rëndësishme dhe sa më parë që arrijmë marrëveshje, aq më mirë. Aktualisht, në këtë muaj ne vetëm sa kemi filluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bëjmë këtë fuzionim të ministrive. Është dita e katër e punës sime. Ende nuk i kam as 100 orë punë, se lëre më 100 ditë. Ndërkaq, në anën tjetër, Serbia po fillon një fushatë zgjedhore për zgjedhjet e saj atje. Kështu që duhet të kemi pak mirëkuptim edhe për këto dy dinamika në dy vendet tona. /REL