Kurti: Puna e policëve prishi rehatinë e bandave kriminale në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë zyrtarët policorë janë bërë cak i “sulmeve të njëpasnjëshme” në veri të vendit, zonë që ai tha se më herët ka qenë “zonë e rehatisë për brandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi”.
“Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar policor edhe në atë zonë ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë, nga të cilët 25 zyrtarë janë lënduar lehtë, një është plagosur dhe një ndodhet aktualisht në trajtim mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e kriminelit famëkeq Llune”, tha Kurti gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës.
Millun Millenkoviq – Llune u arrestua më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, në një aksion të forcave speciale të Policisë së Kosovës.
Ai dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj objektit të Komisionit Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, si dhe për pjesëmarrje në përleshjet mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në Zveçan.
Kurti nuk qartësoi se gjatë cilës periudhë kohore ishin lënduar 27 policët e përmendur nga ai, por më parë gjatë fjalimit ai përmendi dy vjetët e fundit, gjatë qeverisjes së tij.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmet ndaj zytarëve të Policisë së Kosovës janë intensifikuar dhe tha se ata po përballen me “banda kriminale” në veri të vendit.
Tensionet e fundit në veri të Kosovës, të cilat u rritën në fund të majit për shkak të ardhjes së kryetarëve shqiptarë në krye të komunave, vazhdojnë edhe më tej.
Më 10 korrik, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Në cermoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës – ku diplomuan 410 kadetë të rinj – mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Sot, të gjithë së bashku, të shprehim edhe një herë falënderimin dhe krenarinë tonë të pashoq me policët e policet tona që po shërbejnë në veriun e vendit tonë për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Ajo bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare Policore (Interpol) dhe Agjencinë Evropiane të Policisë (Europol).
Osmani u shpreh e lumtur që në mesin e kadetëve të rinj ka edhe pjesëtarë të komuniteteve joshumicë, gjithsej 85, dhe vajza e gra, gjithsej 47./REL