Kurti, qytetarëve: Zbatoni vendimet e qeverisë që ta mundim koronavirusin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditura vendimet që janë marrë mbrëmë në mbledhjen e Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se u mor vendim për ndalim të pjesshëm të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në orare të caktuara.
“Ky vendimi ishte mbi ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve duke filluar nga sot prej orës 10:00 e deri në ora 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në ora 6:00. Pra, nga ora 6:00 deri në 10:00 dhe nga 16:00 deri në 20:00 mund të lëvizet e qarkullohet. Lëvizjet në rrugë mund të bëhen duke qenë vetëm dy persona dhe duke e mbajtur distancën dy metra me të tjerët”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka bërë apel tek qytetarët që t’i zbatojnë masat e qeverisë, duke thënë se numri i të prekurve me coronavirus mund të rritet edhe më shumë marrë për bazë faktin që vetëm mbrëmë numri i të infektuarve është shtuar për 26 veta.
Postimi i plotë:
Mbrëmë, në mbledhjen e Qeverisë, morëm disa vendime të rëndësishme: ndalimi i pjesëshëm të qarkullimit për qytetarë dhe automjete në orare të caktuara; pezullimi i veprimeve të AKP-së me pronat e paluajtshme që ka nën administrim; anulimi i vendimit të qeverisë së mëhershme për shpallje e zonës ekonomike në Malishevë dhe shpronësimet atje; miratimi i dy koncept-dokumenteve, njëri për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale dhe tjetri për evidencën qendrore penale; si dhe aprovimi i raportit vjetor financiar.
Fillimisht votuam kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja për parandalimin e përhapjes së virusit Corona, kërkesë kjo e ardhur si rezultat direkt i rekomandimeve të bëra nga IKShPK. Ky vendimi ishte mbi ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve duke filluar nga sot prej orës 10:00 e deri në ora 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në ora 6:00. Pra, nga ora 6:00 deri në 10:00 dhe nga 16:00 deri në 20:00 mund të lëvizet e qarkullohet. Lëvizjet në rrugë mund të bëhen duke qenë vetëm dy persona dhe duke e mbajtur distancën dy metra me të tjerët. Rritja e të infektuarve është shtuar për 26 veta mbrëmë. Mund të rritet edhe më shumë, prandaj është e domosdoshme që të gjithë t’i ndjekim vendimet e Qeverisë dhe udhëzimet e profesionistëve.
Në mbledhjen e mbrëmshme u pezulluan për një afat të pacaktuar të gjitha vendimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në lidhje me pronat e paluajtshme që ajo ka nën administrim. Ky vendim është marrë sepse Programi Qeverisës 2020-2023 parasheh politika të cilat e ndryshojnë statusin aktual të AKP-së.
U anulua edhe themelimi i kundërligjshëm i Zonës Ekonomike në Malishevë. Kësisoj, bashkë me këtë anulohen edhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që prekën nga kjo Zonë. Pa ligj, pa studim fizibiliteti, pa dëgjim publik, pa plan zhvillimor komunal, me shpronësim pronash private, e në kundërshtim me Koncept-planin kombëtar për zhvillimin e zonave ekonomike që parashihte Mitrovicën e Gjakovën, por jo edhe Malishevën, kjo ishte një zonë e shkeljeve aspak ekonomike. Malisheva nuk meriton këso përçmimi.
Koncept Dokumenti për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale i hap rrugë themelimit të Gjykatës Komerciale, e cila është aq e nevojshme për mbarëvajtjen e ekonomisë dhe shtimin e investimeve te ne.
Të dashur qytetarë, zbatoni masat qeveritare që ta mundim virusin. Rrini të pastër, rrini në distancë dhe rrini në shtëpi.