Kurti: Rusia ndihmon në përhapjen e narrativës kundër Kosovës

Kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje ambasadorëve të veprojnë me vendosmëri dhe shpejtësi ndaj sulmeve të Serbisë, që siç tha po përdor propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së jashtme, me synimin për ta dëmtuar Kosovën.

Deklaratat i bëri gjatë edicionit të 7 të Konferencës së Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Sipas tij, partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë prioritet.

“Ju duhet të veproni me vendosmëri, qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndanë Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë. Në këtë pikë, duhet të jeni edhe aktiv edhe proaktiv dhe të kontribuoni në përgjigje të shpejta që duhet të ofrohen… Puna juaj nuk është thjeshtë përfaqësim por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Provimi i interesave ekonomike të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe drejtat e njeriut janë parimet dhe vlerat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj, punën e të gjithë neve”, tha Kurti.

Sipas Kurtit diplomacia publike nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se sa tani, teksa Beogradi me ndihmën e Rusisë, po ndërmerr sulme sistematike, hibride e kinetike kundër Kosovës, duke përdorur propagandën dhe dezinformatat si armë.

SHKARKO APP