Kurti: Serbia po intensifikon fushatën e çnjohjeve të Kosovës, SHBA e BE të shtojnë trysninë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me fushatën e ndërmarrë nga Serbia për çnjohjen e Kosovës.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti i ben thirrje SHBA-ja dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, duhet ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës.

Postimi i plotë

”Vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës.

I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës.

Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet.

Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj.”

Reagimi vjen në një moment kur media serbe Tanjug ka publikuar lajmin se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavaresisë së Kosovës. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca ka thënë se kjo është një pretendim i Daçiç dhe nuk ka asgjë të sigurt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për shtyp më 27 shkurt, tha qeveria do te heqë taksën 100% për lënden e parë që vjen nga Serbia e Bosnje Hercegovina. Heqja e taksës do te nisë më 15 mars 2020.

SHKARKO APP