Kurti shkoi më këmbë nga shtëpia në zyrë, opinioni publik i ndarë. A duhet të lëvizë kryeministri pa sigurim?
Ditën e djeshme vendosi të ecë në këmbë deri në zyrën e tij. Ky gjest i kryeministrit Albin Kurtit u përshëndet nga shumë qytetarë dhe u bë edhe hit i ditës në rrjetet sociale. Kurti preferoi që rrugën nga shtëpia për në zyrën e tij ta bënte në këmbë, duke ngjallur debat në opinion.
Përkrahësit e pëlqyen veprimin e shefit të qeverisë ndërkaq për kundërshtarët ky ishte populizëm nga Kurti. “Si qytetar e përshëndes. Kemi nevojë për lider të tillë”, tha një qytetar për Klan Kosovën. Mirëpo ekspertët e sigurisë po konsiderojnë se lëvizja e Kryeministrit pa mbrojtje të afërt nuk është zgjedhje e duhur.
“Sigurimi duhet të jetë aty për aty që të mos vjen deri te një kërcënim personal”, tha eksperti i sigurisë, Bashkim Ibishi. Madje Ibishi thotë se është e preferueshme që kryeministri Kurti mbrojtjen e afërt ta ketë edhe gjatë takimeve jashtë vendit. Ndërkohë nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk dhanë një përgjigje nëse do të vazhdojë që rrugën për në punë ta bëjë pa veturë e pa truprojë. Këtë çështje nuk e komentuan as në policinë e Kosovës, njësiti i të cilit institucion e siguron shefin e policisë.
Kujtojmë se me të marrë mandatin si kryeministër Kurti pati thënë se nuk i ka me qejf privilegjet e tilla por që i duhet të respektojë rregullat.