Kurti: Të akuzuarit për shpërthimin në Ibër-Lepenc ishin të lidhur me shtetin e Serbisë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha të mërkurën se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre serbët e akuzuar për shpërthimin në kanalin jetik të ujit, Ibër-Lepenc, kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë. Një ditë më parë, prokurorët e Kosovës ngritën aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviç dhe Igor Dimoviç për shpërthimin e vitit të kaluar në kanalin e ujit që furnizon dy termocentralet kryesore të vendit.

Ata akuzohen se shpërthyen 20 kilogramë të llojit TNT në kanal, duke dëmtuar strukturën e tij prej betoni, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm dhe duke penguar sistemin e ftohjes për termocentralet me qymyr, gjë që ngriti shqetësime për ndërprerje të rrymës. Që të tre janë arrestuar pas sulmit. Në një shkrim në Facebook të mërkurën mbrëma, Kurti i përsëriti deklaratat e mëparshme se “sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”.

“Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast”, tha Kurti.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai nguli këmbë se gjykimi në këtë rast “do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e [presidentit të Serbisë Aleksandar] Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”. Kurti po i referohej ish-nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në vend, Millan Radoiçiç, të cilin autoritetet kosovare e kërkojnë me fletarrestim për vepra të ndryshme penale, përfshirë për një sulm vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 2023.

Swiss Digital Mobile Reklama

Radoiçiçit e mori përgjegjësinë për atë sulm ku u vra një rreshter kosovar dhe tre sulmues serbë. Kosova e cilëson si “akt terrorist” shpërthimin në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut dhe e akuzon Serbinë se qëndron pas tij, por Beogradi e ka mohuar vazhdimisht se ka gisht.

“Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Kosovës”, tha Kurti. /REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?