Kurti thirret nga Prokuroria Speciale, Kusari-Lila: Ndërhyrje në zgjedhje
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila foli në lidhje me thirrjen që i ka bërë Prokuroria Speciale kryeministrit Albin Kurti. Në një intervistë për ”Euronews Albania”, ajo tha se në çdo vend demokratik kjo konsiderohet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë aq më tepër në momentin kur ndërmerret ky akt që korrespondon vetëm një ditë para dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë.
“Ajo çfarë ndodhi dje përkundrejt që është e pazakontë nuk ishte befasi për mënyrën si është pozicionuar apo si vepron Prokuroria Speciale në Kosovë. Nuk e di në ndonjë vend demokratik që do të mund të prezantohej ndryshe përveç se ndërhyrje e drejtpërdrejtë e drejtësisë në procesin zgjedhor i cili pritet të ndodhë, për më tepër në një ditë si e djeshmja ku zyrtarisht ishte afati i fundit për dorëzimin e listave të partive politike për zgjedhjet e rradhës që për herë të parë në Kosovën si shtet i Pavarur janë zgjedhje të rregullta”, tha Mimoza Kusari-Lila.
Ajo tha se kjo i dukej si një tendencës e drejtpërdrejtë për të dhënë një mesazh apo treguar që Prokuroria Speciale në një mënyrë ose tjetër, me dashje apo padashje po më shumë me këtë të dytën dëshiron të ketë impaktin e saj në procesin zgjedhor.