Kurti thirrje popullit: Kursejini dritat nga ora 18:00 deri në mesnatë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bën thirrje qytetarëve që nga ora 18:00 e deri në mesnatë të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike. Për të gjatë ditëve të fundit ka pasur shqetësime të shumta nga qytetarët në lidhje me reduktimet e energjisë elektrike, shqetësime të cilat janë adresuar tek operatorët.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë shqetësime në lidhje me furnizimin me energji elektronike në disa komunat të Kosovës. Këto shqetësime i kemi përcjell vazhdimisht tek operatorët e rrjetit transmetues dhe shpërndarës KOST dhe KEDS dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime.
Përkushtim intensiv në terren për zgjidhjen e problemeve teknike të rrjetit si të prishjeve edhe të menaxhimit të mbingarkesave, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt, i cili do të zgjidh problemin e Ferizajt dhe do të ketë ndikim edhe në komunat tjera.
Si çdo dimër paraprak qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë në të mirë të sigurisë të furnizimit për vete dhe për gjithë vendin tonë“, thotë ai.