Kusari: S’ka vullnet politik për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë
Përveç zjarreve, temë aktuale është dhe marrëveshja ”Open Balkan”, dhe marrëdhënia Shqipëri-Kosovë. Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari thotë se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë dështuar dhe nuk ka një vullnet të përbashkët për të rritur apo forcuar bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.
“Kosova dhe Shqipëria janë lidhje natyrale të një kombi të ndarë në dy shtete, e cila shkon përtej asaj që diskutohet në raportin në politikën ditore, megjithatë qeveritë kanë dështuar në vazhdimësi për të lehtësuar dhe rritur efikasitetin e kësaj lidhjeje”, tha ajo. Për të ka probleme të ndryshme të natyrës tregtare, burokratike dhe administrative në marrëdhënien tregtare mes dy vendeve.
Për “Open Balkan”, ajo thotë se e shikon si iniciativë të panevojshme dhe pjesëmarrësit nuk trajtohen si të barabartë. “Kemi mjaftueshëm iniciativa që jemi në tavolinë, që jemi pjesë, ku e themi qëndrimin edhe ne, edhe Shqipëria, edhe Serbia, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Prandaj për të qenë në një vend që ka një emër tjetër dhe me mekanizma të dobëta dhe pa garanci fare për sukses, nuk është e nevojshme”,-tha në ”Euronews Albania”.