Kush e vuri në lëvizje Gjykatën e Hagës për Presidentin Thaçi?

Padia e Prokurorisë Speciale kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli ka efektet e një tërmeti të fortë në politikën e Kosovës dhe në fatin e negociatave me Serbinë. Kryetari i shtetit dhe njeriu më i pushtetshëm në Prishtinë, si dhe pasuesi i tij në PDK, do të hetohen për aktivitetin si drejtues të UÇK-së gjatë luftës kundër Serbisë. Nuk është hera e parë që drejtuesit e luftës së UÇK-së janë pjesë e dyshimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte dhe lista e gjatë me krime, të supozuara, duket që është furnizuar nga dosja me dokumente e ish-prokurorit Dick Martin. Më shumë se detajet e padisë së sotme, ajo që është shqetësuese lidhet me kohën kur është bërë gati dosja kundër dy politikanëve të Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, dosja është përgatitur me 24 prill, ndërkohë lajmi është publikuar vetëm sot në mesditë. Njoftimi nuk ka qenë i rastësishëm, por është publikuar tre ditë para se Hashim Thaçi të ulet në bisedime me palën serbe në SHBA. Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është cilësuar nga të gjitha palët si një moment kthese në dialogun mes dy vendeve. Askush nuk e di çfarë do të prodhojë ky takim. Nuk dihet nëse do të ketë një marrëveshje finale dhe çfarë tezash do të hidhen në diskutim për të dyja palët. Nuk dihet nëse do firmoset ndarje kufijsh apo thjesht takim sa për fillim.

Ajo që mund të thuhet sot me siguri është se padia e bërë ndaj Thaçit sot synon pikërisht sabotimin e këtij takimi.

Në Uashington pala kosovare, me padinë ndaj Presidentit Hashim Thaçi, nuk ulet në pozita të barabarta. Historia e luftës njeh serbët si autorë të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve. Në mënyrë paradoksale, autorët e nxitësit të padisë ndaj Thaçit, në bisedimet e Uashingtoni do ti paraqes shqiptarët si  kriminelë lufte. Ky është dëmi më i madh që iu bëhet publikisht negociatave ku viktima, në mënyrë të padrejtë, do të prezantohet si kriminel. Gjykata Speciale që ka marrë çështjen e Thaçit është një investim ndërkombëtar i BE dhe SHBA dhe duket se Europa nuk po e sheh me sy të mirë atë që do të vendoset në Uashington. BE, por veçanërisht Gjermania dhe Franca janë të vendosura për negociata Serbi-Kosovë, pa ndryshim kufijsh, sepse i ruhen rrezikut të një reaksioni zinxhir në Ballkan, ku nuk dihet fundi i kësaj që po filloi nuk mbaron. Ballkani ka qenë përherë fuçi baruti që djeg jo vetëm veten, por zjarrin ia fut dhe Europës.

Për këtë qëllim kanë vendosur, me sa duket, të godasin me anë të kësaj gjykate një prej palëve negociatore duke dobësuar çdo produkt marrëveshje. Për një pjesë të opinionit në Kosovë, padia ndaj Thaçit vjen dhe si përgjigje kundër idesë për ndarjen e Kosovës e telasheve që mund t’i sjellë kjo përpjekje Bashkimit Europian në Ballkan. Në të gjitha rastet, padia nuk vjen si reagim i natyrshëm i drejtësisë së pavarur, por si një lëvizje mekanike me interesa ende të panjohura. Nuk është në diskutim fati personal i Hashim Thaçit dhe nuk ka rëndësi se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Speciale. Kjo padi e ka bërë dëmin e saj që në momentin kur u publikua. Sepse kushdo do të vërë në pikëpyetje produktin e marrëveshjes në SHBA dhe kushdo të dyshojë nëse Hashim Thaçi në tavolinë luftoi për interesat e Kosovës apo për shpëtuar veten nga akuzat. Cilido që e ka shtyrë këtë padi të publikohet këto ditë, nuk ka dëmtuar vetëm Hashim Thaçin në negociata, por edhe ka forcuar pozitat e Serbisë në dialogun që do të zhvillohet në SHBA dhe gjatë muajve më pas.

Ndërkohë pritet me interes reagimi amerikan, që akoma nuk ka ardhur, pasi goditja e Presidentit kosovar sjellë një takim mes një Presidenti serb që ka bërë genocid dhe një presidenti kosovar që akuzohet për genocid!

Pyetjet janë të shumta: A është Gjermania pas kësaj? Apo Gjermania, Franca dhe Rusia? Apo një lojë djallëzore që të kenë në Uashington një president të plagosur e në prag arrestimi nga Gjykata e Hagës që të firmos çfarë ti ofrojë pala serbe?

Mbetet të shikojmë, por akuza ndaj Thaçit dhe krejt grupit pas tij është krejtësisht e padrejtë dhe kundër shqiptarëve.

SHKARKO APP