Kush është Richard Grenell, njeriu i Trump për negociatat Kosovë-Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka emëruar si Përfaqësues Special për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadorin aktual të shtetit të tij në Berlin, Richard Grenell. Një gjë e tillë është bërë e ditur Shtëpia e Bardhë. Kjo lëvizje e Trump vjen pas vendimit të para pak ditëve të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili emëroi Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, e që në agjendën e tij si pikë kryesore do ta kishte dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E ky vendim i Donald Trump për emërimin e Grenell si Përfaqësues Special duhet që të miratohet edhe në Senat, në mënyrë që ti lejohet ushtrimi i dy pozitave, shkruan Gazeta Express.

Por kush është Richard Grenell:

Richard Grenell ka marrë postin e tij të Ambasadorit të SHBA’së në Gjermani nga maji i vitit 2018. Ai ka qenë autor dhe komentues në studio televizive. Në vitin 2010 kishte themeluar kompaninë e tij këshilluese “Capitol Media Partners”. Për gati 20 vjet ai ka qenë këshilltar kryesor i komunikimit për zyrtarë në nivele federale, shtetërore, lokale e ndërkombëtare.

Grenell gjithashtu ka qenë edhe zëdhënësi me mandatin më të gjatë i SHBA’së në Kombet e Bashkuara, duke iu shërbyer katër ambasadorëve amerikanë. Ai është i diplomuar dhe ka marrë gradën e masterit në Universitetin e Harvardit.

Takimi sekret me presidentin Hashim Thaçi në Berlin

Siç ka raportuar Washington Post, Grenell është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Berlin gjatë muajit dhjetor. Trump i referohej Grenell si ‘njeri i besueshëm”, dhe Thaçi në Berlin i kishte premtuar atij në atë kohë se do ta heq taksën ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.

Presidenca e Kosovës nuk e ka konfirmuar formalisht një takim të tillë, në të cilin Grenell kishte bërë thirrje për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për negociata direkte në mes të dy shteteve, bazuar në deklarimet e zyrtarëve amerikan. Ai gjithashtu kishte shprehur shqetësim për të drejtat e komunitetit LGBTI.

Ky takim i tij me Hashim Thaçin kishte ardhur pak ditë pas letrës së Presidentit të SHBA’së, Donald Trump për Thaçin e Vuçiqin, në të cilën tregohej gatishmëria e SHBA’së për të ndihmuar në përpjekjet për “arritjen e një marrëveshjeje që respekton interesat e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe nga John Bolton i cili ka disa deklarata kundër Kosovës, Grenell ka raporte të mira me përfaqeësues të Kosovës. Presidenti Thaçi e mban për mik të tij dhe të Kosovës. Gjatë qëndrimit në Nju Jork muajin e kaluar Thaçi madje edhe ka bërë fotografi me Grenellin në një nga pritjet atje. Po ashtu edhe ambasadori i Kosovës në Berlin Beqë Cufaj i afërt me Ramush Haradinajn ka raporte të mira me Grenell.

Haradinaj ndërkaq në reagimin e tij pasi u bë e ditur se Trump e ka emëruar Grenellin emisar special në negociatat Kosovë –Serbi ka reaguar duke thënë se pres të punojë me të duke i përmendur negociatat pa kushte dhe mos ndryshimin e kufijve.

Puna e ambasadorit amerikan, Richard Grenell, konsiderohet si kontroverse në Gjermani – nuk dihet se cili do të jetë reagimi i administratës gjermane rreth këtij emërimi. Menjëherë pas arritjes në Berlin, ai ishte vendosur në qendër të kritikave pasi që kishte thënë se kompanitë gjermane duhet të ndërpresin bashkëpunimin me Iranin, kjo pasi që Trump kishte ndërprerë marrëveshjen për armët nukleare në vitin 2015.

Pas kësaj zyrtarë gjermanë kishin thënë se do të kërkonin sqarime për deklaratat dhe për pozitën e tij në Berlin.

Megjithatë Grenell nuk ishte ndalur me aq. Në mars të vitit 2019 ai kishte kritikuar planet e Gjermanisë për shpenzime ushtarake brenda NATO’s, duke i quajtur si të pamjaftueshme.

Pas kësaj deklarate kishte reaguar opozitari gjerman Wolfgang Kubicki, duke e akuzuar ambasadorin gjerman, Richard Grenell, për ndërhyrje në politikat e brendshme të një shteti sovran.

Kubicki kishte thënë se Grenell duhet të dij se toleranca gjermane ‘ka disa kufij’, shkruan Gazeta Express.

Ndryshe në vitin 2012, Grenell ishte bërë zëdhënës për politikën e jashtme të kandidatit për president , Mit Romney, megjithatë ishte shkarkuar vetëm disa javë më vonë. Kjo pasi që Grenell postonte në twitter komente të pamatura dhe fyese për gratë e shquara në jetën publike në SHBA.

Disa media ndërkohë thonë se u pushua për shkak të presionit nga republikanët konservatorë, të cilët kundërshtuar Grenell pasi ishte një politikan që e pranonte hapur se ishte homoseksual.

Richard Grenell ishte gjithashtu edhe komentator dhe analist në rrjetin e Fox Neës./GazetaExpress/

SHKARKO APP