Kuvendi i Kosovës deklaratë unanime, dënon sulmin kriminal
Kuvendi i Kosovës në përmbyllje të seancës së sotme plenare miratoi me votim unanim deklaratën e përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve të pavarur.
Në deklaratë thuhet se “përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dënojnë fuqishëm sulmin kriminal të kryer mbrëmë mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve e vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike”. “Kërkojmë nga institucionet e sigurisë që të ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë të zbardhin këtë sulm, ndërsa kriminelët të vihen para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, po ashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal”.
Kuvendi i Kosovës vazhdoi sot seancën plenare të nisur dje, të ndërprerë në mungesë kuorumi, ku kishte 17 pika në axhendë, por jo edhe projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të miratuar më parë po dje herët në mëngjes dhe të proceduar nga qeveria e Kosovës.
Te ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, e cila ndodhet pranë asaj të qeverisë, në qendër të Prishtinës, mbrëmë rreth mesnate ka ndodhur një shpërthimin i fuqishëm, nga një sulm arme antitank, sipas raportimeve të para, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Policia e Kosovës në njoftimin e dërguar sot thekson se, ka gjetur dëshmi relevante, si një mjet për hedhjen e predhave me të cilën dyshohet se është kryer sulmi ndaj ndertesës së Kuvendit të Kosovës, pastaj në rrugën “1 Tetori” ka gjejë një motoçikletë e cila ishte duke u djegur dhe shishe molotovi.
Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit nuk ka pasur raportime për ndonjë person të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në murin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, janë dëmtuar disa dritare e disa vetura zyrtare.