Kuvendi i Kosovës miraton komisionet parlamentare
Kuvendi i Kosovës në seancën e së premtes miratoi përbërjen e komisioneve parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje do të ketë nën udhëheqje shtatë prej 14 komisioneve, sa janë gjithsej.
“Me 104 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kuvendi e miratojë përbërjen e 14 komisioneve parlamentare për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës”, tha kreu i kuvendit, Glauk Konjufca.
Më 30 mars, në kryesinë e kuvendit, ishte bërë ndarja e komisioneve parlamentare.
Si grupi më i madh parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje do të udhëheqë shtatë komisione, nga dy komisione do të udhëheqin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërkaq, nga një komision do të kryesojë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lista Serbe dhe Grupi 6 plus.
LVV-ja do të udhëheqë: Komisionin për buxhet, punë dhe transfere, Komisionin për legjislacion, mandate dhe imunitete, Komisionin për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sport, inovacion dhe ndërrmarrësi, Komisionin për bujqësi, zhvillim rural, mjedis dhe planifikim hapësinor, Komisionin për punë të jashtme dhe diasporë, Komisionin për qeverisje lokale zhvillim rajonal dhe media, si dhe Komisionin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
PDK-ja do të udhëheqë Komisionin për ekonomi, punësim, tregti, industri, ndërmarrësi dhe investime strategjike si dhe Komisionin për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
LDK-ja do të kryesojë Komisionin për integrime evropiane dhe të për mbikëqyrjen e financave publike.
Ndërkaq, AAK-ja do të udhëheqë Komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Lista Serbe atë për të drejtat e komuniteteve dhe kthim, ndërsa Grupi 6 plus Komisionin për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione./REL