Lajçak flet për takimin me Kurtin në Kretë: I dobishëm
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka shkruar për takimin me kryeministrin Albin Kurti në Kretë të Greqisë, në kuadër të Symi Sympozium.
“Në Symi Sympozium të këtij viti, pata një diskutim të dobishëm me kryeministrin Albin Kurti për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën përpara drejt deeskalimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Për këtë takim dje ka njoftuar edhe kryeministri Kurti, i cili tha se moti ishte më i nxehtë se diskutimi mes tyre.
“Pata një bisedë të gjatë me emisarin Miroslav Lajcak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, ka shkruar Kurti dje.