Lajçak pas takimit me Thaçin: BE është shumë serioze, synon marrëveshje Kosovë-Serbi
Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajcak ka thënë se BE-ja ka qasje shumë serioze sa i përket Ballkanit dhe në veçanti dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Evropa është shumë serioze sa i përket regjionit dhe dialogut Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajcak.
Po ashtu ai është shprehur se synon arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate që zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pres që dialogu të ketë përfundim të suksesshëm”, ka thënë Lajcak.
Më tej, ai ka shtuar se takimi me presidentin Thaçi ka qenë shumë i frytshëm dhe konkret dhe se e ka njoftuar kreun e shtetit me detajet, planin dhe metodologjinë për vazhdimin e procesit të dialogut.
“Takimi me Thaçin ishte shumë konkret, e njoftova me planin, elementet dhe metodologjinë. Do të vazhdojmë komunikimin edhe me liderë tjerë dhe krerët e partive politike”, është shprehur ai.
Sa i përket bashkëpunimit me SHBA-në, Lajcak ka thënë se Evropa gjithmonë ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Amerikën dhe se shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë.
“Evropa ka punuar shumë ngushtë me Amerikën. Gjithçka që është arritur është bërë në bashkëpunim. Shpresojmë në një bashkëpunim shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Lajcak.