Lajçak pret marrëveshje Kosovë-Serbi brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2

Bashkimi Europian uron që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse në pak muaj.

Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun mes dy fqinjëve, vijoi të martën takimet me krerët institucionalë dhe politikë në Prishtinë.

Në konferencën e përbashkët me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, Lajçak tha se dialogu është përgjegjësi e të gjitha partive politike, por kërkohet veçanërisht përkushtimi i qeverisë së re kosovare.

“Ky proces mund të përfundojë brenda disa muajve. Nuk do edhe 10 vite të tjera, as 5, as 3 vjet nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve. Mendoj se mund të kompletohet me marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë këtij mandati të Albin Kurtit dhe Osmanit.”

Presidentja Osmani tha se institucionet e reja ku edhe ajo ka rol, janë të angazhuara për dialogun dypalësh, por kanë edhe vijat e veta të kuqe.

Një nga to është njohja reciproke në kufijtë ekzistues.

“Për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një rishikim i cili ndër të tjera Kosova të jetë e përgatitur në një proces i cili të rezultojnë me njohje reciproke në kufijtë aktual dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës e jo të konsiderohet Kosova si një shportë me pemë e perime ku çdo kush të merr një pjesë të saj.”

Osmani kërkoi që Serbia të mbajë përgjegjësitë e veta në raport me Kosovën dhe BE-në.

 “Është koha që në Bruksel, e kudo të kërkohet përgjegjësi nga Serbia për krimet që i ka kryer dhe të kërkohet drejtësi për gjitha viktimat.”

Diplomati sllovak Lajçak nisi të hënën misionin për të bindur palët në Prishtinë për rëndësinë që dialogu ka edhe për të ardhmen europiane të vendit.

Në takimin me Avdullah Hotin, kryeministri në detyrë përsëriti se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm.

Konsultat vijuan me kryetarët e partive kryesore, me Enver Hoxhajn e PDK-së, Isa Mustafën e LDK-së, dhe me Ramush Haradinajn e AAK-së.

Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje e priti i pari të dërguarin e BE-së.

Kandidati për kryeministër deklaroi se qeveria e tij do e ketë përparësi dialogun, por jo të parin.

 “Ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam dialogun parimor dhe të përgatitur mirë.”

SHKARKO APP