Lavrov në Beograd, analistët: Rusia mbështetje Serbisë për Kosovën
Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç foli rusisht kur i uroi mirëseardhjen shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov në zyrat e Ekzekutivit serb e theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë përherë i mirë, por në të ardhmen, do të jetë akoma edhe me i suksesshëm.
Ministri i Jashtëm rus iu përgjigj me një kompliment për Beogradin, të cilin, siç theksoi, e ka vizituar disa herë dhe ka shijuar secilën prej ndalesave në këtë qytet kaq të bukur, e pas kësaj i përcolli një mesazh: Moska, tha Lavrov, i ndoqi me vëmendje të veçantë zgjedhjet e përgjithshme të fituara nga Vuçiç, të cilin e sheh si kontribuues në zhvillimin e mëtejshëm të relatave mes dy vendeve.
“Rusia nuk do të ndërhyjë në punët e jashtme të Serbisë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të gjejmë një ekuilibër në interesat tona”, deklaroi kryediplomati rus.
Kreu i qeverisë serbe, nga ana e tij, i mëshoi idesë se dy vendet duhet të përqendrohen tek bashkëpunimi ekonomik, por nuk la pa prekur as shkëmbimet në fushën e mbrojtjes që do të përbejnë njërën prej pikave kyçe të takimit të tij të ardhshëm në Moskë me ministrin rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Përpos Vuçiçit e homologut serb Ivica Daçiç, Lavrov ka në axhendën e vizitës së tij dy ditore edhe takime me të tjerë zyrtarë të lartë vendas, përfshirë presidentin Tomislav Nikoliç.
Ekonomikisht dhe politikisht, Serbia nuk ka rrugë tjetër përveçse të ndjekë kursin e integrimit në Bashkimin Europian, ndaj dhe bisedimet e Lavrovit me liderët serbë pritet të përshkohen nga dykuptimësia.
Ministri rus do të kërkojë të sigurohet që Beogradi e kupton plotësisht rëndësinë e Moskës në rajon dhe një shenjë se Beogradi e pranon plotësisht këtë fakt, do të ishte ngritja e bashkëpunimit ushtarak e atë të sigurisë me Rusinë në të njëjtin nivel që ka aktualisht me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, thotë “Balkaninsight”.
Një nga instrumentet më të fuqishëm të influencës që Moska përdor mbi Beogradin është kërcënimi të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit nëse Perëndimi tenton ta kthejë Kosovën në anëtare të OKB-së.
Kosova është në fakt lidhja më e fuqishme ekzistuese mes dy vendeve, por e tillë ajo mbetet vetëm për sa kohë Beogradi këmbëngul që Kosova të jetë ligjërisht pjesë e Serbisë. TCH