LDK-ja i kërkoi kthimin e ministrit në qeveri dhe heqjen e taksës, reagon Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka raguar pas deklaratës së sotme të liderit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që ta tërheqë vendimin për Agim Veliun dhe ta heqë taksën 100%, që koalicioni mos prishet.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi ka theksuar se Albin Kurti nuk kërkon falje për shkarkimin e Veliut. Ai që duhet të kërkojë falje sipas Abazit, është Agim Veliu.

“Në fakt Agim Veliu duhet të kërkojë falje si ministër që ka thënë se duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme kundrejt qëndrimit të Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti. Nëse burimi i problemit është te ndryshimi i gjendjes së menaxhimit të situatës në Kosovë, atëherë është devijim i qëndrimit zyrtar i Agim Veliut ndaj shtetit, nuk është kryeministri që kërkon falje për këtë punë”, ka theksuar Haki Abazi, duke shtuar se kryeministri e ka në dorë kthimin e Veliut.

Sipas Abazit, duhet të shihet fillimisht interesi kombëtar.

“Nëse po flasim për nivelin e kërkim faljes dhe për kthimin e situatës se ai është vendim tjetër, atëherë kërkim falje duhet të bëjë Agim Veliu që ka thyer qëndrimin e qeverisë, por nuk duhet ta shohim situatën në nivelin e kthimit të vendimeve të kryeministrit, por duhet të shohim interesin kombëtar të qytetarëve dhe të ecim si qeveri përpara, të mos shantazhohemi me një përkufizim të kërkesës së presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Abazi për Blic.

Sa i përket heqjes së taksës, kërkesë kjo e Isa Mustafës, Abazi ka theksuar se kjo është çështje e nivelit qeveritar e jo e atij partiak.

“Çështja e tarifes është që ne po e diskutojmë si qeveri në nivel qeveritar, kjo nuk është që të diskutohet në nivel partive sepse është vendos nga qeveria dhe diskutohet brenda qeverisë dhe ne po punojmë intevizisht për këtë ….. dhe nuk është çështje e një kryetari partie është vendim qeverisë kjo”, tha ai.

SHKARKO APP