LDK, shpresa e vetme e Vjosa Osmanit
Shpresa e vetme e Vetëvendosjes për ta bërë Vjosa Osmanin presidente ka mbetur LDK-ja. Kryetari i kësaj të fundit, Lumir Abdixhiku pas takimit të zhvilluar me Osmanin dhe Albin Kurtin ka treguar se vota apo kuorumi i tyre për Osmanin varet nga qëndrimi i saj apolitik.
Për të diskutuar për këtë, Abdixhiku tha se do të zhvillojnë takim vetëm me Osmanin gjatë javës së ardhshme, pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.
Ndërsa takimi me Kurtin tha se është i fundit pasi LDK-ja do të jetë opozitë. Të hënën e 22 marsit do të bëhet konstituimi i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. Pas formimit të kuvendit pritet të thirret seanca për votimin e Qeverisë Kurti II.