Letra e eurodeputetëve: Kurti vazhdo
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Haki Abazi ka publikuar një letër, të cilën kryeministrit në detyrë Albin Kurtit ia kanë dërguar gjashtë eurodeputetë.
Në letrën e tyre, eurodeputetët thonë se Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale dhe pas krizës me COVID-19, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me Kushtetutën.
Letra e plotë:
I dashur kryeministër Kurti,
Para së gjithash duam të shprehim solidaritetin tonë në luftën tuaj të vështirë kundër pandemisë së koronavirusit. Të gjithë jemi duke kaluar kohë të vështira dhe është mirë të shohim që ju jeni duke ia dalë në mënyrë adekuate me situatën.
Qeveritë e shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë shprehur më 1 prill këtë vit si në vazhdim “Në këtë situatë të paprecedent, është legjitime që shtetet anëtare të marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për të tejkaluar krizën. Ne jemi shumë të shqetësuar rreth rrezikut të shkeljes së parimeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, të cilat janë duke u rritur që nga vendosja e masave emergjente.”
Duke qenë mbështetës të fortë të parimeve të sundimit të ligjit dhe demokracisë, ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vendin tuaj pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, dhe deklaratën e presidentit për interpretimet e mundshme kushtetuese. Askush nuk mund të keqpërdorë krizën aktuale për lojëra politike. Dhe ne ende shpresojmë që ka frymë bashkëpunimi në Prishtinë.
Ne po ashtu dëshirojmë t’iu falënderojmë për heqjen e tarifës për mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ne e kuptojmë që ky hap i nevojshëm tani duhet të inkurajojë disa shenja të vullnetit të mirë nga ana e Serbisë.
I dashur kryeministër,
Ne jemi të bindur që Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, veçanërisht në këtë situatë krize. Pas kësaj krize, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me kushtetutën tuaj. Ne anëtarët e Parlamentit Evropian jemi gjithmonë në anën e qytetarëve të Kosovës.
Ne në vazhdimësi avokojmë për liberalizimin e vizave me Këshillin Europian për qytetarët e vendit tuaj, pasi ne fuqishëm besojmë që e meritoni. Dëshirojmë t’iu inkurajojmë juve që të vazhdoni luftën kundër çdo keqpërdorimi të krizës së koronavirusit. Kjo mund të japë vetëm argumente shtesë atyre që janë ende duke punuar kundër Kosovës.
Tanja Fajon, anëtare PE, Slloveni
Tonino Picula, anëtar i PE, Kroaci
Andreas Schiender, anëtar i PE, Austri
Evin Incir, anëtar i PE, Suedi
Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e PE, Gjermani
Knut Fleckenstein, ish-anëtar i PE, Gjermani