Letra e NATO-s, Aleanca Veri-Atlantike flet në mënyrë të detajuar për bashkëpunimin me Kosovën

Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar se ka pranuar përgjigje nga sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, që sipas shefit të ekzekutivit, konfirmohet rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike. Kryeministri Mustafa tha se më konkretisht NATO është pajtuar për fuqizimin e bashkëpunimit me Kosovën brenda mandatit respektiv të KFOR-it dhe të Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s, që si bashkëpunim pritet të avancohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Ai ka treguar edhe pikat shtesë që sekretari i NATO-s i ka ofruar Kosovës për të fuqizuar bashkëpunimin.

Këto pika përfshijnë:

– Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.

– Pastaj dialogu për aktivitetet e bashkëpunimit praktik me NATO-n.

– Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë.

– Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit “Ndërtimi i Integritetit” me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale.

– Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit.

– Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC).

– Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj.

– Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve,  dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP