Letra/ Kurti i kthen përgjigje Thaçit: S’keni të drejtë të konstatoni se kemi refuzuar të propozojmë kandidatin për kryeministër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i kthyen përgjigje presidentit Hashim Thaçi përmes një letre. Në letrën në fjalë, Kurti nënvizon faktin se Thaçi nuk ka të drejtë e as autorizim kushtetues të konstatojë se LVV ka refuzuar të propozojë kandidatin për kryeministër.

“Bazuar në rolin dhe funksionin si President, ju nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë; ju nuk e keni në mandat e kompetencë që të përcaktoni përtej Kushtetutës se si e çfarë do të jetë Qeveria, siç keni bërë këtyre ditëve në deklarimet publike; dhe, me keqardhje konstatojmë se ende nuk na jeni përgjigjur se në bazë të cilës pikë të nenit 95 po veproni dhe po na drejtoheni”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar Thaçit.

Presidenti i Kosovës, për të pestën herë i dërgoi një letër Kurtit ku i kujtonte faktin se kryeministri nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të propozimit të kandidatit të ri për ta formuar Qeverinë e re.
“Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues të Presidentit të Republikës së Kosovës është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të vendit”, shkruan Thaçi në letrën e tij.

SHKARKO APP