Lëvizja anti-ShBA që zhvillohet në Kosovë, është neveritëse
Nga Qëndrim Gashi -Është neveritëse lëvizja anti-ShBA e cila zhvillohet në Kosovë qe një kohë. Nuk janë të rastësishme thirrjet kundër ambasadorit amerikan e as kundër paraardhësve të tij. Para pak javësh kishte thirrje edhe kundër një përfaqësuesi të një shteti të rëndësishëm evropian. Me këtë mendësi lista e shteteve armike mund të zgjerohet, në përputhje me leksionet e xhaxhit Enver.
Kjo qasje pjesërisht bazohet tek një ideologji ekstreme e majtë për të cilët ShBA ishin gjithmonë kapitalistë të papërmirësueshëm. Por, në këtë përzierje ka edhe OJQ-istë të frustruar, anëtarë të një “elitëze”, kryesisht prishtinase që meqë nuk shtyhen dot me kontributin në luftë çlirimtare tentojnë ta rekuperojnë mungesën e dukjes së patriotizmit me pozicione absurde anti-perëndimore, disa përkrahës apo individë që kanë simpati për ekstremistët religjiozë, disa “puritanë” që mendojnë se sovraniteti duhet “ushtruar” kundër ambasadorit mik por nuk janë kundër që KFOR-i të qëndrojë në Kosovë edhe pse është mision i një organizate që ende nuk na njeh formalisht si shtet. Kuptohet, nuk ka miks pa pasur prani edhe të disa budallenjve.
Pa dyshim se kemi probleme themelore në vendin tonë. Por, ato probleme që po na e bëjnë jetën më të vështirë bukur shumë i kemi shkaktuar vet — shikojeni arsimin dhe shëndetësinë si dy fusha ku ne kemi qenë pothuajse ekskluzivisht në pronësi të udhëheqjes që nga paslufta për ta parë se ku qëndron problemi.
Problemeve reale po u shtohet artificialisht loja me simbolet e shtetit të Kosovës, të cilat simbole më së shumti u pengojnë kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës. Problemeve akute u shtohet loja me Festën e Pavarësisë së Kosovës — një vit nuk ka të holla, një tjetër s’ka çka të festohet ose s’ka informata se 17 shkurti ndodh më 17 shkurt. Le të mendojmë pak se sipas kësaj logjike 28 Nëntori nuk duhet festuar kurrë sepse nuk u realizua aspirata fillestare e një shteti shqiptar që përfshinte të gjitha territoret e banuara me shqiptarë. Çudi që ende nuk kanë shpallur zi për atë festë kujdestarët e patriotizmit!
Ndryshimet dhe progresi mund të bëhen në Kosovë, ato duhet të ndodhin dhe do të ndodhin, por vetëm në mënyrë paqësore e demokratike. Rendi dhe ligji, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia kanë nevojë për zhvillim të hovshëm. Në atë rrugë do të vazhdojë të na nevojitet përkrahja dhe bashkëpunimi me ShBA-të e jo konfrontimi me ta.