Lëvizja Vetëvendosje: Qëlluam me vezë ministrin Krasniqi
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikiumi për shtyp ka marrë përsipër përgjegjësinë e një tjetër sulmi me vezë ndaj zyrtarëve qeveritarë të Kosovës, teksa viktimë këtë herë ka rënë nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, njëherazi ministër i Bujqësisë në kabinetin “Mustafa”.
“Të hënën, në datën 28 dhjetor 2015, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë gjuajtur me vezë zëvendëskryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin. Aktualisht ministër i Bujqësisë në qeverinë e Isa Mustafës, ai është një prej mbrojtësve më të zellshëm të veprimeve antikushtetuese të qeverisë. Ai ka mbrojtur marrëveshjet kriminale të nënshkruara nga qeveria dhe ka justifikuar veprimet e dhunshme, të cilat pushteti i ka ndërmarrë ndaj aktivistëve dhe deputetëve të opozitës”, shkruan ndër të tjera në komunikatë subjekti opozitar Vetëvendosje.
“Memli Krasniqi, si ministër ka dështuar në çdo politikë të ndihmës ekonomike, të subvencionimit, apo të planifikimit zhvillimor për sektorin e bujqësisë, i cili është një prej sektorët e lënë pas dore edhe pse potencialin zhvillimor e ka të madh. Për arsye të servilizmit të tij ndaj ‘shefave të mëdhenj’, për arsye të korrupsionit e të klientelizmit që e shoqërojnë këtë ministër kudo që shkon, si në Ministrinë e Kulturës, ashtu edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ai e meriton protestën e aktivistëve dhe i meriton tërësisht vezët. Asnjë zyrtar i lartë i kësaj qeverie kriminale nuk do të mund të qëndrojë rehat, larg protestës së opozitës”, deklaron Vetëvendosja. Në vijim të publikimit, Vetëvendosje denoncon edhe aktin brutal – siç e quan, – të kryer nga 6-7 truproja të Memli Krasniqit, të cilët kanë rrahur në mënyrë çnjerëzore, pa asnjë të drejtë, aktivistin Egzon Azemi. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje janë qytetarët, thotë Vetëvendosje, që kanë qenë kalimtarë të rastit në rrugën “Rexhep Luçi”. Më pas, aktivisti Azemi është shoqëruar në polici.