Licencohen 18 laboratorë të tjerë për kryerje të testeve serologjike në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar të enjten se ka licencuar edhe 18 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike në Kosovë.
Përmes këtyre testeve, një person e kupton nëse është prekur në të kaluarën me koronavirus, apo nëse ka krijuar anti-trupa ndaj tij. Marrë parasysh njoftimin e fundit, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 87 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Për dallim nga testet serologjike, testet virologjike – që aktualisht kryhen edhe në dy laboratorë private në Kosovë – përcaktojnë nëse një person është i infektuar me koronavirus në kohën kur testohet.
Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë ka nisur lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 11,848 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.