Lirohen dy pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës të arrestuar nga Serbia

Dy pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë të Kosovës të cilët qenë arrestuar pas kalimit në pikën kufitare në Bërnjak janë liruar. Lirimi i tyre është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme

Në MPJ kanë thënë se lirimi i tyre është bërë dje, në orën 10:00 informon lajme.net Për ndalimin e pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë pas kalimit të pikës kufitare në Bërnjak, të premten kishte reaguar dhe MPJ e Kosovës.

Kjo ministri në reagimin e saj kishte shprehur indinjatën për sjelljet e Serbisë.“Ministria e Punëve të Jashtme proteston për sjelljet e tilla të pahijshme dhe tendencioze ndaj pjesëtarëve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për pjesëtarët e FSK-së dhe të komunitetit serb të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në reagimin e MPJ-së.

Arrestimi i pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë nuk është rasti I vetëm. Pjesëtarë të policisë serbe vite më parë kishin arrestuar edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në kufirin Kosovë-Serbi.

Po ashtu Serbia kishte arrestuar në vitin 2016 edhe Nehat Thaçin në atë kohë Drejtori i Policisë në Mitrovicën Jugore, të cilin Serbia e akuzonte për terrorizëm.

SHKARKO APP