Lista Serbe certifikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit
PZAP-ja vendos që të certifikojë “Listën SRPSKA” për zgjedhjet e 9 shkurtit. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka vendosur të hedhë poshtë vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e këtij subjekti politik.
Në vendimin e PZAP, urdhërohet KQZ-ja që të certifikojë subjektin politik “Lista serbe” dhe kandidatët e saj për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Sipas PZAP-së, Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur ditë më parë nuk e certifikoi “Listën serbe”, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Zllatan Ellek, në prezantimin e kandidatëve për deputetë i është referuar Kosovës si “Kosova dhe Metohija”. Kjo u bë shkak që dy anëtarë të KQZ, nga partia në pushtet – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, të kundërshtojnë certifikimin e këtij subjekti.