Luan Rama: Jakup Krasniqi nuk e festoi dot ditën e lindjes, Kosova ka ende nevojë për zërin dhe krenarinë e UÇK-së

Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka bërë një mesazh dedikues për Jakup Krasniqin, ish-zëdhënësin e UÇK-së që sot gjendet në paraburgimin e Hagës në një proces gjyqësor ku akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Luan Rama thotë se Krasniqi nuk e festoi këtë 70-vjetor si do të dëshironte ai dhe familja e tij, pasi ka shkuar sërish në luftë, kësaj radhe jo atë që ka zgjedhur ai.

Sipas Luan Ramës, Kosova ka ende nevojë për Krasniqin, pasi dikur ai ishte zëri i UÇK-së në luftën për liri, kurse sot në luftën për drejtësi është krenaria e saj.

STATUSI NGA LUAN RAMA

Në 70 – vjetorin e lindjes:

JAKUP KRASNIQI – NË LUFTË

ZËRI I UÇK-së, SOT KRENARIA E SAJ.

Jakup Krasniqi iu dha Kosovës me ç’ka mundi.

Iu dha me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën e UÇK-së.

Iu dha me shpirt e me zemër, iu dha me dijen dhe qenien e vet.

Por, iu dha edhe me gatishmërinë e patriotit për të dhënë edhe jetën, si të gjithë ata që zgjodhën luftën për të çliruar Kosovën prej pushtimit dhe genocidit serb.

Jakup Krasniqi kur me bindje u përcaktua për luftën çlirimtare, nuk e dinte në do të shpëtonte i gjallë apo do të ishte njëri nga dëshmorët e atdheut.

Sepse ata që rrëmbejnë armët e luftës për liri, i marrin parasysh të gjitha sakrificat e mundshme, edhe atë më sublimen, flijimin.

Ndaj, nuk bëjnë llogari jetën e tyre.

Por ama, Jakup Krasniqi e dinte mirë se fundi i luftës do të ishte liria e Kosovës dhe se Kosova do të bëhej shtet i pavarur prej luftës çlirimtare.

E bash për këte ia vlente e gjithmonë ia vlen çdo sakrificë.

Jakup Krasniqi dje mbushi 70 vjet. Por nuk e festoi dot ditën e lindjes siç ai dhe familja e gjithë të dashurit e tij do të donin.

Sepse ai ka shkuar prapë në luftë, anipse kësaj here në luftën që nuk e zgjodhi vetë.

Ka shkuar në luftë, për të mbrojtur luftën dhe gjakun e shokëve që ia mori lufta.

Ka shkuar në luftë për UÇK-në, për emrin dhe nderin e saj.

Sepse ai është Jakup Krasniqi e zakoni i tokës, i gjuhës, i gjakut dhe i fisit nuk e njeh e nuk e pranon tutën.

Jakup Krasniqi në luftën për liri në tokën e Kosovës ishte zëri i UÇK-së, ndërsa sot në luftën për drejtësi, është krenaria e saj.

Ndaj ai prapë iu dha Kosovës, sepse Kosova ende ka nevojë për Jakup Krasniqin, zërin dhe krenarinë e UÇK-së.

SHKARKO APP