Lufta kundër krimit të organizuar, Llalla vizitë zyrtare në Kosovë

Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në aspektin penal, si edhe përvoja e autoriteteve kosovare në Reformën në Drejtësi të realizuar prej tyre disa vite më parë ishin në fokus të diskutimeve që zhvilloi Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla, gjatë një vizite dy-ditore në Prishtinë me ftesë të homologut të tij, Aleksandër Lumezi.

Gjatë vizitës, Prokurori i Përgjithshëm zhvilloi takime me krerët më të lartë të shtetit, me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si edhe me drejtues të institucioneve të drejtësisë.

Llalla dhe Lumezi diskutuan fillimisht për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme në të dy anët e kufirit. Gjithashtu, temë diskutimi ishin edhe masat e marra në evidentimin dhe parandalimin e rasteve të rekrutimit të qytetarëve me origjinë shqiptare për dërgimin në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, fokusi kryesor i diskutimeve gjatë vizitës dy-ditore në Prishtinë ishte përvoja e autoriteteve atje në reformimin e sistemit të drejtësisë. Në vitin 2010, institucionet e drejtësisë në Kosovë u përfshinë në një reformë të thellë, për të cilën, aktualisht, autoritetet shtetërore besojnë se, pavarësisht gjetjeve pozitive, u shoqërua edhe me problematika që ndikuan drejtëpërdrejtë në cilësinë e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Prokurorit të Përgjithshëm, Llalla, iu sugjerua nga bashkëbiseduesit që strukturat përgjegjëse në Tiranë që janë angazhuar në Reformën në Drejtësi, të vlerësojnë problematikat e Kosovës në këtë drejtim, me qëllim që të mos përsëriten të njëjtat gabime edhe në Shqipëri.

Duke qëndruar tek kjo temë, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë që reforma të jetë një proces dhe jo një fushatë, si edhe duhet vlerësuar paraprakisht nëse masat që priten të ndërmerren do të sjellin përmirësime apo deformime të sistemit.

Duke sjellë përvojën e tyre, e cila është e ngjashme me situatën aktuale në Shqipëri, autoritetet e larta në Prishtinë u shprehën se nevoja për reformimin e drejtësisë zbuloi, pas zbatimit të saj, faktin se problematika qëndronte kryesisht në inkoherencën e kuadrit ligjor dhe jo domosdoshmërisht në të gjithë zyrtarët që ushtronin funksionin e prokurorit dhe gjyqtarit.

Gjatë bisedave, Prokurori i Përgjithshëm Llalla u shpreh se problematikat e reformimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë mund të shërbejnë si një bazë e konsiderueshme për t’u shmangur gjatë hartimit të saj në Shqipëri. Gjithashtu, Llalla ritheksoi qëndrimin që ka shprehur në Tiranë se Prokuroria Shqiptare është e angazhuar dhe mirëpret Reformën në Drejtësi, e cila do të realizojë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe të mekanizmave për luftën kundër korrupsionit si brenda radhëve, ashtu edhe në administratën e lartë publike.

SHKARKO APP