Lugina e Preshevës: Do të shpallim autonominë
Përfaqësuesi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, ka paralajmëruar se Lugina do të shpallë autonominë në rast se në Kosovë themelohet Asociacioni i Komunave Serbe.
Ai ka thënë se ata do të kërkojnë bashkimin me Kosovën, në përputhje me me Referendumin e 1-2 marsit të vitit 1992.
“Nëse serbët e Veriut shpallin Asociacionin e Komunave apo autonomi, edhe ne në Luginë të Preshevës do të shpallim autonominë, me të drejtën e bashkimit me shtetin tonë amë, Kosovën. Ky proces do të bëhet konform vullnetit dhe Referendumit të 1-2 marsit të vitit 1992. Një akt i tillë është në përputhshmëri edhe me konventat ndërkombëtare dhe me Kartën e OKB-së, e cila garanton vetëvendosjen e popujve”, ka thënë Musliu.
Ai ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar që edhe Lugina e Preshevës të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por se një kërkesë e tillë është injoruar.
“Nuk po kërkojmë pushkë, as luftë, por thjesht të inkuadrohemi në dialog. Ne në Luginën e Preshevës kemi telashe, sidomos me politiken diskriminuese të Serbisë”, tha ai.
Sipas tij, pa zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës s’do të ketë stabilitet në rajon.
Musliu ka thënë se për shqiptarët e Luginës duhet të vlejë parimi i reciprocitetit, atë që marrin serbët në Kosovë, të marrin shqiptarët në Luginë.