Lugina e Preshevës kërkon autonomi
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, ka reaguar Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.
Ky Këshill ka kërkuar që të ndërmerren veprime politike nga lidershipi shqiptar si dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet.
Ja komunikata e plotë:
Duke vëzhguar rrjedhat politike rajonale, e posaçërisht me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel nga Prishtina dhe Beogradi, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpreh indinjatën e thellë për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkatësisht në realizimin e drejtave individuale dhe kolektive.
Në kohën kur rajoni ka hyrë në fazë përfundimtare të bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, kur tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor synon përshpejtimin e procesit në rrjedhat e integrimeve euroatlantike, Këshilli Kombëtar Shqiptar sheh nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete dhe të koordinuara për zgjidhjen e çështjeve teknike e që prekin në realitet edhe çështjet jetike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në frymën e proceseve integruese që po zhvillohen në Evropë.
Zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjeve praktike të Luginës së Preshevës nënkupton respektimin e plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve përmes zgjidhjes së drejtë.
Lugina e Preshevës duhet të ketë formën e organizimit administrativo – territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit dhe shërbimet sociale.
Andaj, Këshilli Kombëtar Shqiptar fton lidershipin politik të Luginës së Preshevës që të flasin me një zë dhe urgjentisht të ftohet Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë dhe në mbështetje të Referendumit 1 dhe 2 Mars 1992, Marrëveshjes së Konçulit 2001, Platformës së përbashkët Politike 2006 dhe kërkesës së vazhdueshme të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për reciprocitet për të ndërmarrë veprimet politike të domosdoshme dhe realizimin e të drejtës së vetëvendosje.
Në këtë kuptim, ftojmë për mbështetje të pa rezervë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht formimin e një fondi urgjent për Luginën e Preshevës për këtë çështje.
Gjithashtu, kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-së me hapjen e zyrave në Luginën e Preshevës dhe vendosjen e një force fizike ndërkombëtare.