Lugina e Preshevës, përfaqësimi i shqiptarëve nëpër gjykata, i pamjaftueshëm!

“Kjo nuk është në rregull. Assesi nuk pajtohemi me faktin, që në Gjykatën Themelore në Bujanoc, nga 13-të gjykatës, të jenë vetëm 3 shqiptarë dhe kryetari i gjykatës të jetë serb”, thuhet në pyetjen e deputetit shqiptar Fatmir Hasani, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë.

Nga Sevdail Hyseni

Në seancën e fundit plenare, të Parlamentit të Serbisë, deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës, Fatmir Hasani, në pyetjen për Ministrinë e Drejtësisë, ka kërkuar që në gjykatat themelore dhe ato të larta, të emërohen gjykatës varësisht nga përbërja e tyre etnike.

“Si pakicë kombëtare, dëshirojmë t’ia tërheqim vërejtjen institucioneve relevante, që kur të bëhet përzgjedhja dhe ndërrimi i gjykatësve nëpër gjykatat themelore dhe ato të larta, të merret për bazë përbërja e strukturës së popullsisë. Deri tani, përfaqësimi i pakicës shqiptare nuk është i mjaftueshëm, dhe ne kërkojmë që ju të angazhoheni dhe të respektoni strukturën etnike nëpër komuna”- shprehet i mllefosur deputeti Hasani.

Gjithashtu, në pyetjen e deputetit Hasani, theksohet se diskriminimi nëpër gjykata është perfid “Kjo nuk është në rregull. Assesi nuk e pranojmë faktin, që në Gjykatën Themelore në Bujanoc, nga 13-të gjykatës, të jenë vetëm 3 shqiptarë dhe kryetari i gjykatës të jetë serb”.

Po rastisi ndonjë vizitor i huaj në Gjykatën komunale të Bujanocit, mendon se është në Kralevë e jo në Luginë të Preshevës, të populluar nga shumica shqiptare.

I kësaj natyre është edhe problemi i noterëve. “Qytetarët e Preshevës, duhet të udhëtojnë deri në 50 kilometra për vërtetimin e një akti, apo marrëveshjeje të vogël”, thuhet mes tjerash në pyetjen drejtuar Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë, nga deputeti, Fatmir Hasani.

SHKARKO APP